Tuesday, February 23, 2010

Pickimet e mushkonjave, si te mbrohemi nga pickimet e tyre?

Pickimet e mushkonjave, skuqja, kruarja dhe enjtja largohen me aloe vera dhe banane. Para se të shikoni pjesën ku ju ka pickuar mushkonja, mjekët këshillojnë që të fërkoni pjesën e infektuar të vendit me pjesën e brendshme të lëkurës së bananes, ose me xhelin e nxjerrë nga bima aloe vera. Metodat e trajtimit të aloe verës janë zhvilluar qysh prej mijëvjeçarësh dhe vazhdojnë edhe sot me produktet e reja të specializuara aloe. Trajtimet me aloe vera kanë dhënë provat e tyre në rastet e neurodermatitit, ekzemës apo urtikarieve. Lëkura pasurohet me lagështirë dhe ushqyes jetësorë për të ndihmuar rigjenerimin e plagëve dhe për të përshpejtuar rritjen natyrale të qelizave. Duke përdorur aloe vera, qelbëzimet, djegiet, pickimet e insekteve dhe gërvishtjet shërohen më shpejt se zakonisht. Lëngu ose xheli i aloe verës mund të përdoret gjithashtu si një alternativë balsamike në sportet e përgjithshme dhe produkt kundër tërheqjes dhe bllokimit muskulor gjatë terapisë në rastet e dëmtimeve sportive. Mjekët popullore rekomandojnë që nënat të përdorin prodhime natyrale të aloe verës për t’u kujdesur për lëkurën e ndjeshme të bebeve të tyre në vend që të përdorin kremra të prodhuar kimikisht, të cilët përmbajnë përbërës që mund të shkaktojnë alergji. Për këto trajtime, aloe vera përfaqëson një alternativë të mrekullueshme.
Pickimet
Pickimet nga insekte të ndryshme janë të zakonshme sidomos gjatë pushimeve verore. Shumica e këtyre pickimeve nga insektet shkaktojnë vetëm reagim lokal, duke përfshirë këtu skuqje, të ënjtura, dhimbje dhe kruajtje. Por, nganjëherë disa njerëz reagojnë ndryshe dhe kjo duhet trajtohet menjëherë nga mjeku. Për të evituar problemet e pickimit të mushkonjave gjatë pushimeve merrni me vete spërkatës kundër pickimit të tyre dhe insekteve të tjera. E nëse pickoheni largoni thumbin nga lëkura dhe pastrojeni mirë vendin e pickimit me ujë dhe sapun. Më pas mbani mbi të një pako me akull për të ftohur vendin e prekur e gjithashtu aplikoni edhe krem antiseptike për të shmangur infektimin. Tre vite më parë në vendin tonë u vu re prania e mushkonjës “Tigër”, e cila konsiderohet e rrezikshme, pasi pickimi i saj krijon alergji dhe mund të jetë burim i një sërë sëmundjesh. Për tu mbrojtur prej këtij insekti, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve, që të përdorin dezinfektues dhe kremra. E njëjta kërkesë u është bërë edhe bashkive për të marrë masat e duhura për dezinfektimin e zonave që mbulojnë. Kjo lloj mushkonje është e përhapur më shumë në zonat bregdetare si Butrinti, Durrësi, Velipoja, Himara e Saranda, por edhe në kryeqytet. Insekti ka përmasat e mushkonjës së zakonshme, por ka një pickim të dhimbshëm dhe agresiv që shkakton irritim të lëkurës.
Fëmijët
Më shumë komplikacione pickimi i mushkonjës sjell te fëmijët, pasi për shkak të imunitetit të dobët të organizmit irritimet janë më të mëdha. Është quajtur mushkonja “Tigër”, pasi nuk është e zezë, por ka vija të bardha. Sipas specialistëve të ISHP-së, insekti mund të ketë ardhur në vendin tonë nga makinat që udhëtojnë jashtë vendit, të cilat nuk janë dezinfektuar. Kjo, pasi aty mund të kenë lënë dhe vezët. Mushkonja e rrezikshme mund të gjendet në ambientet e bodrumeve, apo edhe në zonat ku ka pemë. Specialistët këshillojnë, që edhe këto ambiente të mos lihen pa u spërkatur me dezinfektantë. Në vendet e tjera të botës, ku kjo mushkonjë është më shumë e përhapur, sëmundjet nga pickimi i saj kanë shkaktuar edhe vdekje. Mushkonja “Tigër” është më e përhapur në Azi, por që prej 20 vjetësh ajo ka mbërritur në Amerikë dhe po përhapet me shpejtësi drejt Evropës. Një tjetër mënyrë e ardhjes e mushkonjës “Tigër” në vendin tonë mund të jetë nëpërmjet shpendëve shtegtarë, pasi në stinën e ftohtë ato mund t’i lëshojnë vezët në trupin e tyre. Pasi ngrohen temperaturat larvat zhvillohen duke kaluar bashkë me këta shpendë nga një vend në tjetrin. Mushkonjat për vetë faktin se thithin gjakun nga persona, apo dhe kafshë të ndryshme mund të jenë përhapëse të viruseve vdekjeprurëse siç janë, sipas mjekëve, SIDA dhe hepatiti. Një tjetër sëmundje që në vendin tonë kalon nga kafshët te njeriu nëpërmjet mushkonjave është Leshmanjoza, e cila kalon nga qentë e infektuar te njerëzit. Nëse nuk kurohet ajo mund të sjellë pasoja të rënda për organizmin.

Çfarë shkakton pickimi?

1-Alergji
2-Irritim të lëkurës
3-Kruajtje në trup
4-Puçrra të kuqe
5-Sëmundje infektive

Si të mbrohemi
1-Të dezinfektohen ambientet
2-Të përdoren spray dhe kremra që largojnë mushkonjat
3-Të kontrollohen bodrumet dhe të spërkaten me pesticide

No comments:

Post a Comment